Komunat po e keqpërdorin buxhetin për punësimet e kundërligjshme

Komunat e Kosovës nuk po e zbatojnë sa duhet ligjin për shërbimin civil. Ato po punësojnë njerëz, kryesisht militantë, duke e shkelur këtë ligj.

Legjislacioni kosovar për shpenzimet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve përmban rregulla dhe kufizime strikte për administratën publike.

Njëkohësisht, me ligjin për shërbimin civil si dhe me ligjin e punës, lejohet që aty ku komuna ka nevojë për angazhim të ekspertëve për një periudhë të kufizuar, të zhvillojë procedura të thjeshtësuara të rekrutimit dhe se kontratat e tilla për shërbime të veçanta duhet të jenë deri në gjashtë muaj ose katër muaj, aty marrëdhënia e punës rregullohet me ligjin e punës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin që ka të bëjë me performancen e Komunave gjatë qeverisjes 2018, shkruan lajmi.net.

Shënimet e mëposhtme nuk tregojnë arsyet apo të gjitha (pa)rregullsitë gjatë kontraktimit, por paraqitet numri i të angazhuarve krahas madhësisë së organizatës. Sipas Auditorit, krahasuar me vitin 2017 ku ishin angazhuar në total 1,101, në vitin 2018 kishte 31% më shumë apo 1,440 të angazhuar. Grafiku në vijim tregon renditjen e komunave të cilat kishin angazhuar më së shumti punonjës të tillë, kur krahasohen me madhësinë buxhetore. Fjala bile, edhe pse në shikim të parë, Parteshi me një buxhet 1.3 milion, ka rreth 27 të angazhuar sipas këtyre marrëveshjeve, i bie që në krahasim me komunat e tjera është komuna me numrin më të lartë të të angazhuarve. Për rreth çdo 50,000 euro buxhet ka një të angazhuar shtesë sipas marrëveshjeve të tilla. Pastaj Kllokoti, e cila ka angazhuar 26 të tillë apo 1 për çdo rreth 51,000 euro buxhet.

Auditori, ka mbledhur informata edhe nga aspekti i zbatimit të ligjit që rregullon këtë fushë: nëse janë zbatuar procedura të thjeshtuara rekrutimi, nëse kohëzgjatja e kontraktimeve ishte ligjore (jo më shumë se gjashtë muaj dhe katër muaj) si dhe nëse të angazhuarit thirren për ndonjë punë të veçantë apo ekspertizë e jo për punë të zakonshme të cilën mund të kryejnë edhe zyrtarët e rregullt komunal. “Nga ky kënd, shumica e komunave nuk kanë respektuar kërkesat e mësipërme. Mangësitë më të mëdha ndërlidhen me natyrën e angazhimit, ku përgjithësisht vetëm në rreth 39 për qind të rasteve, angazhimi është për ndonjë ekspert që Komuna duhet patjetër ta kontraktojë derisa në pjesën më të madhe angazhohen për pozita fare të zakonshme të cilat do duhej të ishin të planifikuara me buxhet.

Moszbatimi i procedurave të thjeshtësuara i karakterizon më tej, këto angazhime, edhe pse në këtë drejtim kishte pak progres krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në raportin e Auditorit.