Komunitetet e kushtëzojnë mbështetjen ndaj Kurtit me udhëheqjen e një ministrie

Veton Berisha nga komuniteti egjiptian pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nga ai kanë kërkuar udhëheqjen e një ministrie nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Ai thotë se nëse nuk përmbushet kjo kërkesë atëherë nuk e din nëse ka kuptim përkrahja e komuniteteve për qeverinë në ardhje.

“Qëllimi i takimit është koordinimi dhe kërkesa e tij për ta mbështetur qeverinë ne ardhje. Përcaktimi jonë është ende i padefinuar, biseduam çështje të cilat janë me rëndësi për neve. Kërkesa jonë ka qenë që ta kemi një përfaqësim, që komunitetet ta kenë një përfaqim në vendimmarrje. U bisedua gjatë për mundësinë e një bashkëpunimi dhe do të bisedojmë me kryesitë tona. Edhe ne si komunitete kemi kërkuar që të drejtojmë ministri, ka mbetur që kjo të shqyrtohet nga Kurti”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se nuk janë idhtarë të një qeverie të pakicës, por se nuk do t’i pengojnë proceset.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë pengesë e proceseve. Është një kufizim për 12 ministri, dhe kjo ka bërë që të zbehet vullneti për ta mbështetur qeverinë. Ne nuk jemi vetëm deputetë të komuniteteve, nëse nuk plotësohen kërkesat tona atëherë nuk e di sa ka arsye për bashkëpunim. Kërkesa jonë ka qenë që të drejtojmë ministri”, ka thënë ai.