Rakiq: Serbët e bojkotojnë punën në institucionet e Kosovës deri në kthimin e Stevanoviqit

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, njëherësh kryetar i Listës Serbe, ka konfirmuar se të gjithë serbët do t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës deri në kthimin e Liljana Stefanoviqit në punë.

Rakiq ka thënë se të enjten kanë mbajtur një takim me Vuçiqin nga i cili janë kthyer pa përgjigje.

“Pas takimit të djeshëm me presidentin Vuçiq, mbase për herë të parë, s’kemi arritur të pajtohemi me të. Edhe pse atij i besojmë, nga ai takim jemi kthyer pa përgjigje. Ai nuk na e ka miratuar këtë që të braktisim të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi thënë se ne nuk jemi ata që po e shkelim marrëveshjen e Brukselit, por është Kurti dhe do të rrimë përkrah popullit tonë dhe gjyqtarëve. Kështu ne, dhe të gjithë punëtorët e institucioneve e gjykatave, ta suspendojmë veten nga detyra”, tha ai.

“I bëjmë thirrje Vuçiqit që të bëj presion te Bashkësia Ndërkombëtare dhe te Kurti, që të tejkalohet kjo gjendje. Ne nuk frikësohemi dhe do të rrimë këtu”.

Rakiqi u prononcua për media gjatë protestës kundër suspendimit gjykatëses serbe, Liljana Stevanoviq, e cila mori pjesë në takimin me presidentin serb, Vuçiq.