Konfindustria kërkon krijimin e Tregut të Përbashkët Ekonomik të Kosovës e Shqipërisë

Federata e Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, ka kërkuar nga vendimmarrja politike e Shqipërisë dhe Kosovës të vazhdojnë me shpejtësi dhe pa vonesa të paarsyeshme, për plotësimin e agjendës së paraparë dhe marrëveshjeve të nënshkruara të deritanishme për krijimin e Tregut të Përbashkët Ekonomik, si një qëllim strategjik në interes kombëtar afatgjatë, transmeton Fokusi.info.

Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në lidhje me këtë ka thënë se mbështet si një hap të rëndësishëm pozitiv krijimin e Tregut të Përbashkët Energjetik Shqipëri-Kosovë, marrëveshjen e nënshkruar në Tiranë ndërmjet kompanive të transmisionit të energjisë së dy shteteve, OST dhe KOSTT.

‘Marrëveshja në thelbin e saj ka krijimin e bllokut të pavarur të sistemit të energjisë, duke e shkëputur Kosovën nga varësia formale e derisotme nga Serbia. Mjaft e rëndësishme vlerësohet, qëndrimi zyrtar neutral i deritashëm i Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Energjisë/ ENTSO, në dijeni dhe familjare me marrëveshjen në fjalë’, thotë Buxhuku në një njoftim dërguar medieve.

Ai vlerëson se marrëveshja në fjalë shënon njëkohësisht një hap përfundimtar të rëndësishëm drejt vënies në funksionim të linjës së tensionit të lartë 400 KV ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, që prej pothuaj 4 vitesh është i pashfrytëzuar.

Sipas Buxhukut, ndërtimi i linjës së sipërpërmendur i ka kushtuar më shumë se 70 milionë euro Shqipërisë dhe Kosovës, siguruar nga një kredi e RF të Gjermanisë./Fokusi.info/