Konjufca ftohet të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme

Komisioni për Punë të Jashtme, ka mbajtur takimin e radhës. Aty u diskutua për planin e punës që mbet për t’u aprovuar në mbledhjet e ardhshme, teksa u debatua edhe për kërkesën e ministrit të Konjufca për kthimin e disa ambasadorëve politikë nga shërbimi diplomatik.

Anëtari i LDK-së, Arben Gashi tha se kjo kërkesë nuk duhet të shihet si problem, pasi që konsideron se të gjithë ambasadorët në fjalë ishin pa mandat dhe në kundërshtim me ligjin.

Megjithatë, u pajtua që ministri të ftohet dhe të raportojë para komisionit për këtë kërkesë, por edhe për shkarkimin e konsujve.

“Nuk besoj që ka ndonjë problem sepse janë ambasadorë politikë Të gjithë ata që janë propozuar për kthim më sa pash unë kanë qëndruar atje në kundërshtim me ligjin. Sepse ligji thotë që të emëruarit si ambasadorë politikë shërbejnë vetëm një mandat 4-vjecar, ndërsa kemi ambasadorë që është propozuar për kthim e që është në mandatin e tretë që është më shumë se 5 vjet duke qëndruar jashtëligjshëm. Pra ka çka na tregon ministri sepse ka kthyer edhe shumë konsuj po ashtu sipas arsyetimit të tij që janë të emëruar politik”, tha ai.

Gashi tha se të gjithë ata që janë emëruar politikisht duhet të kthehen vet pa ndonjë urdhëresë dhe të tillët nuk duhet të akuzojnë pasi që e din që janë me mandat politik.

Eanëtarja anga PDK-ja, Ariana Shoshi, kërkoi që të hapen amabasada të reja në disa kontinente.

Edhe ajo kërkoi që ministri Konjufca të raportojë për vendimet e fundit.

“I kemi 28 ambasada dhe disa konsullata. Duhet ta dimë nga ministri se a është ky buxhet i mjaftueshëm. A duhet të rritet a duhet të zvogëlohet. Po ashtu mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi edhe një numër të rritjes së ambasadave në disa vende siç është Afrika, Azia, Amerika Jugore. Pra të dimë për planet dhe projektet të tjera të cilat ministri i mendon për zhvillim. Sa i përket raportit të ministrit për aktivitetet e tij është e rëndësishme ta kemi ministrin këtu me datën 6 ose 9 mars”, tha ajo.

Anëtarja e komisionit nga VV-ja, Fatmire Kollçaku, tha se kori diplomatik duhet të ndjehet keq pasi që gjendja sa i përket njohjeve nuk ka qenë asnjëherë më keq.

“Kurrë më keq nuk ka qenë puna se tani me njohjet. Po kemi çnjohje që janë duke ndodhur për ditë. Dyshime që do të ketë edhe çnjohje të tjera. Ndërsa në anën tjet ër kemi heshtje pas përfundimit të mandatit të diplomatëve. Në opinion publik po duket që iu bë padrejtësi përfaqësuesve tanë diplomatik, ambasadorëve apo konsujve, përderisa po konstatohen shkeljet që janë bërë apo tejkalimet e mandateve bazuar në ligj. Kështu që më të vërtetë na pret një punë shumë e madhe në aspektin e mbikëqyrjes. Ky komision duhet ta luaj rolin e vet. Një ndër to është edhe lobimi”, tha ajo.

Kryetarja Time Kadrijaj, kërkoi nga secili anëtar që të jenë të unifikuar në prezantimin e Kosovës jashtë.

“Me qenë se e kemi një komision të një rëndësie të veçantë ne duhet të jemi të unifikuar në politikën e jashtme sepse është në interes të shtetit dhe interes të përgjithshëm që të jemi me një zë. Besoj se sa herë kemi qenë jashtë vendit asnjëherë s’kemi fol si pozitë e opozitë, por kemi fol si përfaqësues të Kosovës”, tha ajo.

Plani i punës për këtë Komision mbeti të miratohet pasi që të zbardhet strategjia e qeverisë.

Komisioni në fund vendosi që t’i bëjë ftesë ministrit të Punëve të Jashtme për javën e ardhshme që të raportojë para këtij komisioni.