Konjufca: Lista Serbe po e shantazhon Kuvendin, por këtë nuk do ta lejojmë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka akuzuar Listën Serbe se është duke e shantazhuar Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, me mospjesëmarrje e tyre në mbledhjet e planifikuara gjatë periudhës së fundit.

Por, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet dhe të ketë kushtëzime nga Lista Serbe.

Gjithashtu Konjufca ka treguar edhe detaje kur nënkryetari i Kuvendit nga Lista Serbe Slavko Simiq është larguar nga mbledhja.

“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne, ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq që Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike, pa e fshehur, bile me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”, tha Konjufca.

Konjufca u shpreh se Lista Serbe me këtë po do të kushtëzojë institucionet e Kosovës, por një gjë e tillë nuk do të pranohet.

“Përmes kësaj Lista Serbe po do me tregu një lloj kushtëzimi për institucionet e Kosovës, por ky kushtëzim nuk pranohet, ky kushtëzim refuzohet, mendoj me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, do të konsolidohet edhe më mirë kryesia dhe nuk do të vërehet bojkoti nga ana e Listës Serbe në bojkotin e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Ai tha se Simiq edhe herën e kaluar kur ishte planifikuar të mbahej mbledhja e Kryesisë, qëllimshëm është larguar duke e pamundësuar mbajtjen e saj.

“Zotëri Simiq po vjen këtu, po shfaqet, nuk është se po mungon nga fillimi, po vjen po e sheh që jemi katër, që është numri i mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjeve, ai po largohet që të mbesim tre e të mos mund të funksionoj mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar, ne ishim katër, sapo filluam Sllavko Simiqi kur e pa që jemi në pragun e kuorumit për të marrur vendimin, ai foli në telefon me dikë dhe u largua. Këtë e ka bërë edhe sot”, u shpreh i pari i Kuvendit.