Konjufca: Sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rënia heroike e Jasharëve, i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK’së, Konjufca tha se “sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”, raporton express.

“Sakrifica madhështore e Jasharëve, na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë. Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmi, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza , “ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë ”.”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se themelet e lirisë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.

“Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve. Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse ushtria e Kosovës e njësuar me popullin e çliroi atdheun tonë nga Serbia. Pavarësia e shtetit tonë, është rezultat i këtij procesi”, deklaroi ai.