Koronavirusi/ Rriten shtrimet në Spitalin Infektiv, ja skenari që rikthen karantinën

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se ka një rritje të shtrimeve në spital të të prekurve me koronavirus.

MSH njoftoi se “në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar”. Kjo është një e dhënë shqetësuese, pasi vetëm rritja e fortë e të shtruarve në spital e rikthen vendin në karantinë. Kreu i Urgjencës Kombëtare deklaroi dje se në rast se të shtruarit në spital kalojnë kapacitetin e shtretërve, atëherë rikthehet karantina. Sipas informacioneve zyrtare në vendin tonë ka 450 shtretër, që do të thotë se fatmirësisht jemi larg skenarit më të keq.

Sot në vendin tonë rezultuan me COVID 50 persona, ndërsa një 69 vjeçar humbi jetën, duke e çuar totalin e jeteve të humbura nga koronavirusi ne 42 persona.

Sipas Ministrise se Shendetesise, në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

“Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë. Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19”- theksoi sot MSH.

COVID-19 – Statistika (19 Qershor 2020)

Testime totale 22806

Raste pozitive 1838

Raste të shëruara 1114

Raste Aktive 682

Humbje jete 42 (Qarku Tiranë 23, Durrës 8, Fier 4,

Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)

Gazeta SHQIP