Kosnett: Takimi i Washingtonit, mundësi e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, të dyja vendet humbën kohë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, tha se takimi i thirrur nga i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë është shumë i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe rajonin.

“Nuk kam ndonjë informacion më specifik apo detaje sesa njoftimi i ambasadorit Grenell sa i përket agjendës apo pjesëmarrjes në takim. Por, më lejo të them se unë mendoj që ky takim në Washington është një mundësi e rëndësishme për Kosovën, Serbinë dhe regjionin. Normalisht ka shumë kureshtje se çfarë do të diskutojnë liderët, çfarë mund të jetë përfundimi, do të ketë shumë spekulime dhe pyetje hipotetike prej tani e deri në kohën e takimit, dhe unë do të distancohem nga spekulimet dhe rrethanat hipotetike”.

“Dhe dua ta theksoj se qeveria ime ka folur për këtë që një kohë të gjatë – rreth dy vite – ne mendojmë se është e rëndësishme të sjellim energji të re në procesin e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në veçanti jemi të fokusuar në çështjet që do të ndikojnë në jetët e përditshme të qytetarëve. Dhe ne mendojmë që tregtia dhe zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm për qytetarët e dy vendeve”.

“Mendoj se këtë e kemi parë gjatë pandemisë, se të gjithë jemi ballafaquar me kërcënime internacionale, globale (që nuk ndalen nëpër kufij). Dhe qeveritë mund të jenë më së shumti efektive, kur janë të gatshme të flasin me fqinjët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për t’i zgjidhur këto probleme. Prandaj, do të dëshiroja që takimin në Washington ta shohim nga kjo pikëpamje, si mundësi për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë Kosnett në një intervistë për Telegrafin.

Kosnett ka komentuar edhe pritshmërinë nga Qeveria e re.

“Ne i shohim me prioritet sfidat mbi lidhjet diplomatike mes fqinjëve, sfidat mbi zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit si të ndërlidhura. Prandaj, unë mendoj se përpjekja për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje ka implikime direkte – implikime pozitive – për ekonominë. Tani çështjet urgjente të brendshme janë luftimi i pandemisë, gjetja e mënyrës për ta rindërtuar ekonominë – gjë e cila veçse ka qenë sfidë edhe para pandemisë. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës është duke u ballafaquar me një problem me të cilin po ballafaqohen të gjitha vendet e botës – si të balancohet sfida e shëndetit publik, si të mbahen qytetarët të sigurt dhe të zhvillohet ekonomia”.

“Kjo është sfidë e madhe për SHBA-të dhe është sfidë e madhe për Kosovën. Tani unë duhet të them, dhe nuk po flas si diplomat i huaj, por si banor i Prishtinës sepse këtu e kam familjen, qentë, koleksionin e librave dhe gjithçka, se unë mendoj që qytetarët mund të bëjnë më shumë për ta luftuar pandeminë. Askush nuk është duke mbajtur maska, askush nuk po i kushton vëmendje distancës sociale dhe e kuptoj nevojën për ta rihapur ekonominë sepse nuk mund t’i mbajmë bizneset mbyllur përgjithmonë, por ka hapa që qytetarët si individë mund t’i bëjnë për ta mbrojtur veten, tjerët, familjen dhe fqinjët”.

“Dhe mendoj se të gjithë duhet të jemi të disiplinuar dhe vigjilentë në të ardhmen. Tani, SHBA, njësoj sikurse miqtë tjerë ndërkombëtarë, është duke i ofruar asistencë Kosovës – kemi ofruar para, kemi ofruar më shumë se 1.6 milion dollarë, kemi ofruar pajisje dhe shpresojmë se do të ofrojmë më shumë në të ardhmen, ka pasur konsultime profesionale, etj. Ne duam ta ndihmojmë Kosovën, por nuk mund ta kryejmë punën për Kosovën. Prandaj qeveria dhe qytetarët e Kosovës duhet ta bëjnë punën e tyre për ta luftuar pandeminë. Njësoj sikurse në çdo shtet tjetër, kjo është detyrë për qytetarët”.