Kosova dhe Gjermania janë shumë afër marrëveshjes për patentë-shoferë

Njohja e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani është vetëm edhe disa hapa larg.

Këtë e bëri të ditur sot Ambasada e Kosovës në Gjermani, duke thënë se në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe Transportit të Gjermanisë për njohjen e patentë-shoferëve.

Sipas ambasadës, ky rekomandim ka kaluar pa asnjë vërejtje.

“Duke qenë se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë i ka rekomanduar, me datë 29 dhjetor 2021, Këshillit Federal (Bundesratit) të procedojë tutje me miratimin e marrëveshjes, ka mbetur që Bundesrati, si instanca finale institucionale, të thotë fjalën e fundit”.

“Kështu që, sot, më 26 janar 2022, në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat, është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim KA KALUAR PA VËREJTJE. Nga ana e Bundesratit ka mbetur edhe hapi i fundit procedural, që është votimi në seancën plenare të Bundesratit më 11 shkurt 2022”, thuhet në njoftim.