Kosova ka përplasur Serbinë e Bullgarinë

Një përplasje e madhe ka ndodhur mes Bullgarisë dhe Serbisë, pas deklaratave të kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, i cili tha dje se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, nuk mund të përfaqësojë qëndrimin e shtetit të tij, Spanjës, lidhur me Kosovën, por ai duhet të respektojnë qëndrimin e tërë Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Daçiq , i cili kritiko Borissovin rreth komenteve të tij, derisa shtoi se Borisovi duhet të respektojë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, i cili sipas Daçiqit thotë se Kosova nuk është e pavarur, e jo të tentojë t’i mbajë leksion Borreli

“Boyko, duhet të respektosh qëndrimin e BE-së, e jo t’i japësh leksion Borellit. Në çfarë ngjanë kjo, kjo është e neveritshme. Më së shumti më nervozon hipokrizia, mjaft më me këto. Të mos flas se ka marrë dekoratë nga ne [Borisov]”, tha Daçiq, raporton “Blici” serb, transmeton lajmi.net.

Por, pas këtyre deklaratave, çështja ka shkuar edhe një hap më tej.

Ambasadori serb në Sofje është ftuar në një takim në Ministrinë Bullgare të Punëve të Jashtme të hënën, me urdhër të ministres bullgare Ekaterina Zakarias. Ambasadori është ftuar për shkak të komenteve të Ministrit Daçiq në adresë të kryeministrit bullgar Boyko Borissov.

E, pak orë më vonë ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, iu kundërpërgjigj Bullgarisë në të njëjtën mënyrë.

Daçiq tha se me urdhër të tij i ngarkuari me punë i Bullgarisë është thirrur në bisedë në Ministrinë e Jashtme, në lidhje me deklaratën e kryeministrit Borissov.

“Serbia dhe Bullgaria si një vend fqinj dëshiron të ketë marrëdhënie të mira, miqësore dhe aleate, që nënkupton një nivel të lartë të mirëkuptimit për interesat më të rëndësishme të dy vendeve dhe dy popujve.

Siç ne kemi mirëkuptim për çështje të identitetit nacional bullgar, gjithashtu presim mirëkuptim për rëndësinë e çështjes së Kosovës për popullin serb.

Kjo deklaratë e kryeministrit bullgar, nuk ka të bëjë me kuotat për peshkim, apo cilësinë e djathit serb në negociatat me Bashkimin Evropian, por është e lidhur me çështjen e integritetit territorial të Serbisë”, tha Daçiq.