Kosova masa drastike kundër koronavirusit

Ndonëse nuk ka asnjë rast të infektuar me koronavirus, Kosova ka marrë masa drastike duke mbyllur shkollat dhe ndaluar aktivitetet kulturore. Për zbatimin e këtyre masave është vendosur në gatishmëri edhe Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vendoset pranë pikave kufitare dhe do të ndihmojë kryesisht në aspektin logjistik.

Pavarësisht që në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekur me koronavirus, pas shpalljes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka filluar me masat parandaluese për këtë virus. Nga Forca e Sigurisë së Kosovës janë kërkuar tre kontejnerë për nevoja të ekipeve mjekësore në pikat kufitare, dhe sigurimi i hapësirave që do të përdorën për karantinë nëse identifikohet rasti i parë i prekur.

Ish-spitali i KFOR-it në Prizren, Qendra e Azilit në Vranidoll dhe objekti i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Ferizaj, janë vendet që po shqyrtohen si të përshtatshme për karantinë.

FSK është në gatishmëri që të ndihmojë vendin në aspektin logjistik, ndërkohë që i është kërkuar të sigurojë hapësirat që do të përdoreshin si karantinë në rast nevoje.

Këtë e tregon për KosovaPress, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kolonel Xhevdet Tahiraj.

“Nga ne është kërkuar sigurimi i hapësirave për karantinë të cilat do të përdoren për personat të cilët mund të jenë të dyshimtë për infektim me koronavirus. Në komitet i kemi diskutuar tre lokacione, lokacioni i parë është objekti i ish-spitalit të KFOR-it gjerman në Prizren, objekti i dytë është Qendra e Azilit në Vranidoll si dhe objekti i tretë është një objekt i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik të Kosovës në Ferizaj që ne do të shkojmë të vizitojmë atë objekt dhe të shohim kushtet nga afër se si do të mund ta organizojmë në rast se ka nevojë sistemi për karantinë”, thotë ai.

FSK-së i është kërkuar të bëjë furnizimin me tre kontejnerë, me elementet bazë të një ambulance, në pikat kufitare, për nevojat e ekipeve mjekësore që shërbejnë atje.

“Kërkesë për furnizimin me tre kontejnerë në tre pika kufitare të vendit tonë për nevoja të ekipeve mjekësore të shërbimit civil të cilët shërbejnë atje”, thotë ai.

Pavarësisht që Kosova nuk ka ndonjë të prekur me këtë virus, ekzekutivi ka vendosur që të ndërmarrë masat paraprake duke mbyllur shkollat dhe universitetet deri më 27 mars. Në veri pati rezistencë për mbylljen e shkollave, por më pas ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, kërkoi nga Policia që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 11 mars.

Qeveria ndaloi gjithashtu aktivitetet kulturo-artistike dhe mbylli restoranteve dhe lokalet në orën 23:00.