Kosova respekton sovranitetin e Malit të Zi, demantohet lajmi për intervenim nga ROSU

MPJ demanton lajmet për intervenim nga ROSU në territorin e Republikës së Malit të Zi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media demanton fuqishëm shpifjen e publikuar nga FOS Media dhe disa portale tjera lokale në Mal të Zi, në lidhje me gjoja “disponueshmërinë” e Forcave Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës (ROSU) për intervenim në territorin e Republikës së Malit të Zi, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse.

Siç thuhet në njoftimin e MPJ-së, Republika e Kosovës respekton sovranitetin e Republikës së Malit të Zi dhe vë në pah se në bazë të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës, përgjegjësitë e Policisë së Kosoves kufizohen në kuadër të territorit të Republikës së Kosovës.

Tutje, MPJ konsideron se informacionet e falsifikuara dhe dashakëqija nuk i shërbejnë paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon, si dhe u bën thirrje qarqeve të këtilla të rishikojnë qëndrimet e dëmshme që i shërbejnë tensionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ndëretnike dhe ndërfetare.