Kosovarët e “shpëtuan” hotelerinë shqiptare në verën e këtij viti

Ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, është duke qëndruar tash e dy ditë për vizitë në Kosovë për të mbajtur premtimin e dhënë në Shëngjin për hapjen e sezonit vjeshtë-dimër në Kosovë.

Klosi tregoi se kjo po bëhet për të tërhequr sa më shumë turistë nga Shqipëria për në Kosovë.

“Kam ardhur për të mbajtur premtimin e dhënë para pak kohësh në Shëngjin kur çelëm sezonin veror që sezonin e vjeshtës dhe dimrit së bashku do ta çelim këtu në Kosovë, për të pasur mundësinë që të ftojmë sa më shumë që të jetë e mundur pushuesit shqiptarë për të vizituar bukuritë e Kosovës, për të vizituar bjeshkët, Prizrenin, Gjakovën, Pejën për të vizituar çdo bukuri të këtij vendi pasi ne e kemi shumë të nevojshme që të organizohemi për të krijuar një ofertë të përbashkët turistike Shqipëri-Kosovë”.

“Takimi i sotëm ishte falënderues simbolik që së bashku me kryetarët e bashkive të zonës të bregdetit t’u bënim operatorëve turistik me pushuesit kosovarë për një shërbim të jashtëzakonshëm që bënë gjatë verës së vitit 2020, ku përsëri pushuesit kosovarë zgjodhën me fanatizëm të pushonin shqip të pushonin në Shqipëri dhe që në mënyrën se i dhanë mundësinë e mbijetesës hotelerisë shqiptare pasi në mungesë të turistëve të huaj pati një biznes të konsiderueshëm falë prezencës së vizitorit historik kosovarë”, deklaroi Klosi për Klanin.

Sot kishte për tu nënshkruar edhe një marrëveshje por kjo gjë nuk ndodhi, Klosi tregon arsyet.

“Bashkëpunimi ndërmjet komuniteti të biznesit është i jashtëzakonshëm dhe ska asnjë shans që të ndodhi kjo vetëm me kërkesat e politikës pasi administrata është shumë e rëndësishme dhe ajo punon por nëse nuk është biznesi konkret ai që bënë lidhjet kjo gjë nuk mund të realizohet, ne tani jemi në fazën e bashkëpunimit shumë të ngushtë me institucionet e ndryshme të vendit”.

“Moto jonë është që të realizojmë një breg të përbashkët dhe të trajtohet bregu i Shqipërisë pa asnjë diferencë mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës është për të dyja anët e shqiptarëve – por kjo nuk mjafton në qofte se ne nuk do të investojmë së bashku me operatorët për të krijuar një atmosferë të qenësishme të njëjtë në mënyrë me koncepte të njëjta por edhe me nxitje të biznesit në mënyrë të koordinuar do ta kemi pothuajse të pamundur të jemi konkurrent në rajon dhe na duhet që bregu i shqiptarëve të jetë jo vetëm për shqiptarët por t’i afrohet rajonit dhe të jetë si destinacioni i parë për Rajonin dhe më shumë se kaq”.

Klosi mes tjerash tregoi se bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare nga të dyja anët është i jashtëzakonshëm.

“Bashkëpunimi i institucioneve shqiptare me ato të Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe mendoj se ska asnjë moment hezitimi apo kërkese për të ndërprerë këtë bashkëpunim”.

“Ajo që duhet të kuptojmë është se me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe investimet që po përfundojnë në “Rrugën e Kombit” do të kemi shumë shpejt nevojën për shumë më tepër struktura akomoduese do të kemi nevojën shumë më tepër operatorët turistik prandaj së bashku me ministrin Veseli po punojmë për të ndërtuar strategji të përbashkëta se si do i qasemi këtij destinacioni të ri që është bërë në Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi Klosi.

Klosi mes tjerash tregoi se shumë biznese nga Kosova janë në Velipojë, Shëngjin e Sarandë.