KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet në Podujevë – nuk ka vend për panik

KQZ: Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se përgatitjet për zgjedhjet lokale në Podujevë janë duke shkuar sipas planit dhe sipas saj janë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese për coronavirusin.

Daka në mbledhjen e KQZ-së tha se derisa nuk ka raste të konfirmuara me coronavirus nuk ka arsye për panik, por vetëm për masa shtesë për parandalim.

Ajo bëri të ditur se kanë marrë një udhëzim se si të sillen në ditën e zgjedhjeve. “…Qytetarët nuk kanë kontakte fizike me mjete tjera, përveç me fletvotim. Ne do të kemi edhe dezinfektues në të gjitha vendvotimet”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Kryetarja e KQZ-së kërkoi nga qytetarët që të mos dalin në grupe të mëdha, por në grupe të vogla dhe në mënyrë të koordinuar, si dhe pas votimit të mos rrinë në korridore dhe në oborret e shkollave pa nevojë.

“Nuk kemi asnjë rast të konfirmuar dhe përderisa nuk kemi raste të konfirmuar nuk kemi nevojë për panik, por për masa parandaluese”, tha ajo, duke bërë të ditur se tashmë edhe shkollat janë dezinfektu.

Daka më tej shtoi se nëse eventualisht ka ndonjë shqetësim gjatë këtyre dy ditëve, KQZ do të shqyrtojë.