KQZ me apel ndaj diasporës: Mos dërgoni aplikacionet e njëjta në tri adresa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka zbuluar një detaj se aplikuesit jashtë Kosovës po i dërgojnë aplikacionet e njëjta në tri adresa elektronike.

Në mbledhjen e sotme të KQZ’së u tha se si pasojë e kësaj, mund të ketë duplifikime në aplikim.

“Aplikuesit po i dërgojnë aplikacionet në të 3 emailat. Pra mund të ketë duplifikime në aplikim. Gjatë procesit të verifikimit do të dihet saktë numri i tyre”, kanë deklaruar nga KQZ.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, iu ka bërë thirrje qytetarëve të mos e dërgojnë të njëjtin aplikacion në tri adresat elektronike të KQZ’së.

Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se deri më sot, në sistem janë futur gjithsej 14 mijë e 307 aplikacione për regjistrim.

Prej 13 mijë e 138 prej tyre është bërë vlerësimi i zotësisë juridike, ndërkaq të aprovuara janë 10 mijë e 172.

“Në statusin momental të refuzimit janë 2 mijë e 426 aplikacione për regjistrim, të cilët duhet të dërgojnë dokumente mbështetëse, me qëllim të aprovimit”, deklaron KQZ.

KQZ ka bërë të ditur se deri më sot në orën 12:00 janë 68 mijë e-maile të pahapura në tri adresat elektronike të KQZ’së.

Ndryshe me 14 shkurt në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku do të votohet për të parin e Qeverisë dhe legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.