Krasniqi kritika Kurtit: Kryeministër ku je, në Tiranë Samiti, ai në Irlandë mban ligjërata boshe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pyetur se ku është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i BE-së me Ballkanin Perëndimor për planin e rritjes.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi fillimisht ka shkruar: “Kryeministër, ku je?

“Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i perbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar.”– ka thënë ai tutje.

Krasniqi ka theksuar se kryeministri ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë samit, e në vend të kësaj, sipas tij ka shkuar në Irlandë të Veriut “që të mbajë ligjerata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”.

“Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë.

Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.”– ka thënë tutje Krasniqi.

Sipas kreut të PDK-së, kjo është papërgjegjësi:

“Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.