Krasniqi: Kurtit i mjaftuan tri vjet në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim

Sot (e mërkurë) janë bërë tri vjet nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.

Me këtë rast, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministrit Albin Kurti i kanë mjaftuar tri vjet në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe kohore Kurti ka dalë kundër secilit aleat të Kosovës, duke përfshirë ShBA-në.

“Krejt çka kjo qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.

Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë.

Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë.

Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht ShBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare.

Krejt çka kjo qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën.

Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi – mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë.

Përbuzja – është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij!