Promovohet libri “Tokë e mbjellë me Varre, Krimet serbe në Kosovë 1998/1999” (Video, Foto)

Është promovuar libri me argumente “Tokë e mbjellë me varre” krimet serbe në Kosovë 1998/1999 i autorit Dibran Fylli, raporton Fokusi.info.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe qytetarë.

Në këtë përurim ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“Sot jemi bashkuar të promovojmë këtë libër që ka vlerë të madhe në Kosovë. Është libër që flet me gjuhën e argumenteve dhe që flet për gjitha krimet që ndodhen në Kosovë, duke filluar nga krimet në Qirez e deri në Mitrovicë. Për ta bërë këtë punë nuk ishte e lehtë, pasi që autori mblodhi shumë kujtime dhe tregon mundin nga të gjithë të tjerët. Unë falënderoj autorin për këtë që po mundohet të hedh në dritë vuajtjet e popullit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

“Dokumentimi dhe argumentimi i të gjitha krimeve të pushtuesit në Kosovë, është detyrë dhe obligim ndaj brezave dhe para historisë. Kënaqësi të isha i pranishëm sot në promovimin e librit “Tokë e mbjellë me varre” të autorit, e luftëtarit të lirisë, Dibran Fyllit”, theksoi Haradinaj.

Skënder Kodra nga Akademia Shqiptare-Amerikane e Shkencave dhe Arteve ka kërkuar nga institucionet që ky libër të përkthehet në gjuhen angleze.

“Isha me ju në gjithë kohën dhe jam ende këtu i lirë në këtë vend. Që 24 vjet kuadrot tona punojnë në mbarë botën. Për këto vite Haradinaj ka mbajtur një qëndrim burrnor për shtetin. Të gjitha bibliotekat që kam shëtitur dhe kam parë që autorët kanë mbushur me gënjeshtra librat, prandaj sot është shekulli i shqiptarëve. Janë bërë shumë premtime. Unë e kam një princip ne jetën time, por jam në shërbim të kombit tim. Kërkoj nga ju i nderuar Ramush Haradinaj, që këtë libër ta keni në tavolinë dhe kërkoj që ky libër të përkthehet në gjuhën angleze”, ka thënë ai.

E kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se me këtë libër tregohet e vërteta dhe tregon se kush ishin kriminelët e kush civilët në luftën e fundit në Kosovë.

“Unë dua ta përgëzoj autorin sepse ky libër është vepra kapitale që bëri UÇK dhe krimet që bënë serbët. Kjo me të vërtetë është paraqitja reale që ka ndodhur me popullin e Kosovës që tregon se kush ishin kriminelët e kush civilët”, ka thënë Gucati.

E autori i librit Dibran Fylli ka falënderuar të pranishmit në promovimin e librit të tij.

“Unë për libër s’kam çka flasë sepse folën të tjerët por dua të ju falënderoj që ishit në këtë promovim të librit. Shumë pyetje më janë bërë për emrat e kriminelëve në këtë libër. Por dua të ju them se unë asnjë emër se kam shpik në libër. Këta emra që janë në libër nuk janë të gjithë, por vetëm disa prej tyre dhe pikërisht këta kriminelë që ishin ne Kosovë nuk i lë ndërgjegjja dhe vijnë në Kosovë dhe e pranojnë se ishin në luftë”, ka thënë autori i librit.