Kreu i veteranëve të UÇK-së së Malishevës i quan të turpshme deklaratat e Deliut

Kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetes së PDK-së, Blerta Deliu sot në Kuvendin e Kosovës, se “kunati i Albulena Haxhiut është i akuzuar në Maqedoni për terrorizëm”.

“Turpi në Institucione dhe parlament: Ata janë Çlirimtar, deputete”, thuhet në fillim të reagimit të Kryeziut, kreut të degës së veteranëve të Malishevës.

“Nuk është mirë nga asnjë deputet apo qeveritarë, që ta luajë rolin e prokurorit e t’i quajë luftëtarët terroristë, e aq më keq kur ata akuzohen e dënohen nga gjykata të huaja”, thuhet më tej në reagim.

“Po ashtu, kërkoj nga çdo politikan, që të mos keqpërdorin luftën e UÇK-së për interesat e tyre politike. Malisheva është e lirë, falë luftës dhe dëshmorëve të UÇK-së, por ajo dha edhe dëshmorë në luftën e ILIRIDËS”, përmbyllet reagimi.