Kroacia sot po zgjedh presidentin

Qytetarët në Kroaci kanë filluar të votojnë për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm.

Këto zgjedhje po mbahen në mes të kritikave që kandidatët kryesorë për postin e presidentit vijnë nga krahu i djatht deri tek e djatha ekstreme, kështu duke lënë pak mundësi për elektoratin e majtë, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova.

Njëmbëdhjetë kandidatë janë duke garuar në zgjedhjet e së dielës, por sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë me tre kandidatëve kryesorë – presidentes aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i qendrës së djathtë; Zoran Milanoviç, i cili më parë shërbeu si kryeministër, i Partisë Social-Demokratike (SDP) i qendrës së majtë; dhe kandidati i pavarur Miroslav Skoro, një këngëtar popullor i mbështetur nga partitë e krahut të djathtë.

Të tre sfiduesit parashikohet të fitojnë midis 23 dhe 25 përqind të votave.

Kandidatët duhet të fitojnë shumicën absolute për t’u shpallur fitues. Nëse, siç pritet, asnjë pretendent nuk e tejkalon pragun prej 50 përqind, dy kandidatët e parë do të vazhdojnë garën në balotazhin e 5 janarit.

Kompetencat e presidentit janë të kufizuara – kryesisht ka rolin përfaqësues jashtë vendit dhe shërben si kreu i forcave të armatosura.

Sidoqoftë, votimi vjen në një kohë të rëndësishme pasi Zagrebi pritet të marrë presidencën e rradhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian më 1 janar dhe do të kryesojë daljen e mundshme të Mbretërisë së Bashkuar nga blloku.