Kryeministri Edi Rama poston një video emocionale të një ish ushtari të UÇK’së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video emocionale, në të cilën ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kjani Guri, nga Kaçaniku, rrëfen për kohën kur iu bashkua luftës dhe tregon mes lotësh përjetimet e momenteve më të rënda.

Postimi i plotë:

LIRIA KA EMËR

Kjani Guri, që si djalë i ri iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot përlotet në rrëfimin e tij për luftën dhe humbjen e vëllait bashkëluftëtar, në ndërkohë që UÇK përballet me epilogun dramatik të një kalvari të gjatë plot akuza, trillime, fabrikime, për drejtësinë e pastërtinë e luftës së saj heroike…
Respekt dhe mirënjohje për çlirimtarët e Kosovës

Ju ftoj ta shikoni dhe shpërndani këtë histori.

#LiriaKaEmer #LavdiUÇK #RroftëKosova”, ka shkruar Edi Rama në statusin që e shoqëron këtë video, duke ia bashkëngjitur flamurin e Kosovës dhe flamurin e Shqipërisë.

Kjani Guri, i cili kishte veshur uniformën e UÇK-së në moshë të re, sa ishte në shkollë të mesme, është vëllai i Heroit të Kombit, Feriz Guri.

Ai tregon se si edhe pasi ju vra vëllai në luftë, babai i kishte kërkuar që ta bartte armën e tij dhe ta vazhdonte rrugën deri në çlirimin përfundimtar.

“Pas rënies së vëllait, dëshira e babait ishte që unë ta trashëgoj dhe ta bart armën e tij. Dhe ai kishte një porosi të qartë: Unë kam djem edhe të tjerë për Kosovën, dhe se lufta për liri duhet të vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës”, rrëfen ai.

Ai thotë se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe luftë për mbrojtje.

“Kjo është madhështia e saj”, thotë Kjani Guri.

Shikojeni rrëfimin prekës të tij.