Haliti: Askush nuk e ka pyetur Albin Kurtin ta pranojë Asociacionin

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka theksuar se kryeministri Kurti e ka obligim që t’i kryejë detyrat që kanë mbetur nga qeveritë e kaluara pa u përfunduar.

Ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic ka theksuar se për Asociacionin askush nuk e ka pyetur Kurtin.

“Asociacioni është një çështje e cila ka mbetur obligim nga qeveritë e kaluara dhe po besoj se diskutimet që janë bërë në Bruksel, kanë përafruar ndoshta disa çështje për tu mirauar. Po nga ajo që unë mund të them që përplasja në Bruksel, ka qenë për një çështje të çuditshme, do të thotë zbatimin ose plani për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më herët, çështje e cila është absurde sepse marrëveshja për zbatim ne hapësirë dhe në kohë, nuk ka nevoj të nënshkruhet”, thotë Haliti.

Sipas tij, çështja e këtij statusi të Asociacionit “nuk kam informata që e ka marrë ose nuk e ka marrë kryeministri sepse nuk kemi asgjë publike për tu trajtuar publikisht dhe për tu analizuar nga publiku por ajo që mund ta them dhe dua ta them se dyshoj që mund të arrihet ndonjë marrëveshjëe e shpejt”.

Sipas tij, askush nuk e ka pyetur Kurtin ta pranojë Asociacionin.

“Kurti ka obligim që t’i kryejë detyrat që kanë mbetur nga qeveritë e kaluara pa u përfunduar. Statuti i Asociacionit nëse e miraton Qeveria, tani po besoj që duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo të konfirmojë se a është në përputhje me Kushtetutën apo jo dhe pastaj mendoj se nuk ka ndonjë pengesë”, thotë ai.

Sipas tij, çështja e Asociacionit është më shumë emocionale dhe më shumë ka të bëjë me problemet elektorale të Albinit, i cili siç thotë ai, është zotuar që nuk do të miratojë këtë Asociacion ose Zajednicën.