Kryeministri kroat njofton Kurtin rreth aksidentit: Një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik

Një person ende gjendet në mjekim intensiv në Kroaci pas aksidentit që ndodhi në muajin korrik, në autostradën e Slavonski Brodit të Kroacisë, bëri të ditur kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Autobusi që po vinte nga Gjermania dhe destinacion kishte Kosovën, pësoi vetaksident, ku mbetën të vdekur 10 kosovarë dhe 45 prej tyre pësuan lëndime trupore.

Plenkoviq tha se 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim nëpër spitalet kroate, ndërsa një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik.

Ai bëri të ditur se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë.

Ndryshe, shoferit kosovar të autobusit që po shkonte nga Frankfurti për në Prishtinë, i arrestuar në Slavonski Brod të Kroacisë, i është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Igor Cisper, i cili tha se vendimi u ndërmor nga gjykata për shkak të mundësisë së arratisjes së shoferit kosovar, shkruan mediumi kroat ’24 Sata’.