Kryetari i bashkisë së Kievit flet për median shqiptare: Rusia do të kthejë perandorinë e saj

Lufta ruse në Ukrainë këtë shkurt bën 1 vit që nga nisja, dhe kryetari i bashkisë së Kievit, ish-kampioni i boksit Vitali Klitschko thotë se Rusia jeton ende me ndjenjat e Bashkimit Sovjetik dhe se ukrainasit i shohin si pjesë e kësaj ideje. “Por ajo kohë ka perënduar”,-thotë ai për “A2Cnn”, duke shtuar se shpreson që lufta të sjelle sa më shpejt paqen.

“Ne kemi luftuar këtë luftë me mbështetjen e qytetarëve ukrainas, por edhe me ata të kryeqytetit gjithashtu. Në Kiev janë shkatërruar më shumë se 700 ndërtesa, mbi 470 apartamente, janë vrarë më shumë se 150 civilë, përfshirë 4 fëmijë. Është shkatërruar jeta normale e miliona njerëzve në Ukrainë, dhe jo vetëm këtu, por edhe në Europë. Aktualisht kemi shumë sfida”, rrëfen kryebashkiaku.

Po ashtu Klitschko vijon duke thënë se “dëshira kryesore e çdo ukrainasi është që të ndalohet kjo luftë e pakuptimtë dhe që të vazhdojmë të jemi një shtet i pavarur. Të gjithë duhet ta kuptojnë se arsyeja e kësaj lufte të pakuptimtë është për shkak të dëshirës sonë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Rusia kërkon që të na kthejë pas në Perandorinë Ruse”.