Kryetari i Podujevës jep detaje për arrestimin e dy kosovarëve në Serbi, kërkon lirimin e tyre

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë se dy kosovarët që u arrestuan sot në Serbi, kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës së Podujevës, përgjatë brezit kufitar.

Ai thotë se arrestimi i tyre është bërë në rrethana të pasqaruara, teksa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Postimi i tij i plotë:

Arrestimi nga policia serbe i dy qytetarëve të komunës sonë gjatë ditës së shtunë, njëri prej tyre këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është një veprim i papranueshëm.

Ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar.

Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar.