Punëtorët e KRU”Mitrovica”- Njësia në Vushtrri që 3 ditë në grevë

Punëtorët e KRU”Mitrovica”- Njësia në Vushtrri ka 3 ditë që kanë hyrë në grevë, ku kërkojnë rritjen e pagave në vlerë prej 100 euro, shkruan Fokusi.info.

Ata përmes një peticioni që ia kanë adresuar menaxhmentit të kompanisë i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre  dhe janë shprehur se nuk fillojnë punën pa u përmbushur kërkesat e tyre.

Ka më shumë se një vit që iu kanë drejtuar kompanisë me anë të një peticioni të cilin e ka protokoluar vetë kompania, dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje punëtorët në lidhje me ato kërkesa.

Ky është teksti i peticionit që e ka siguruar Fokusi.info:

“Peticion i Klasës punëtore të K.R.U”Mitrovica”-Njësia Operative Vushtrri si dhe punonjësve të Fabrikës për përpunimin e ujit në fshatin Balinc lidhur me ngritjen e pagave.

Kërkojmë ngritje pagash për punonjësit e K.R.U”Mitrovica”-Njësia Operative Vushtrri me fillim nga paga e muajit korrik në vlerën prej 100 euro.

Ne jemi të vetëdijshëm që kërkesa jonë ka implikime buxhetore, shpresojmë qê kërkesa jonë të jetë edhe synim i Bordit Drejtues, Menaxhmentit të Kompanisë, me këtë krijohen edhe kushte pune më të mira për punonjës, motivin për punë e përgjegjësi të shtuara për secilin punonjës.

Shpresojmë që organet gjegjëse të gjejnë mundësinë e përmbushjen së këtij peticioni dhe në këtë mënyrë të respektohet vullneti i punonjësve,në mënyrë që mos të ketë nevojë të përdoren mekanizmat e tjerë të presionit për tu realizuar kërkesat e punëtorëve”.