Kryhen dy rastet e para me laparaskop në Kirurgjinë pediatrike

Në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, u realizuan dy intervenimet e para me kirurgji minimale invazive, me laparaksop.

Rasti i parë ka qenë një 13-vjeçar , i cili ishte i diagnostikuar si varicocele e testitit( zgjerim i venave të testitit) të anës së majtë.

Intervenimi u krye me sukses dhe pacienti është liruar në shtëpi në gjendje të mirë, pas vetëm një ditë qëndrimi në spital.

Rasti i dytë, një pacient i moshës 10-vjeç, i diagnostikuar si cholelithiasis ( gurë në fshikëzën e tëmthit).

Pacienti është liruar pas dy ditë qëndrimi në spital, në gjendje të mirë shëndetësore.

Kjo metodë e operimeve ka shumë përparësi në raport me operacionet kirurgjike klasike, pasi është me invazion minimal.

Pacientët e operuar, pas operacionit e marrin veten shumë më shpejt, i kthehen aktiviteteve normale të jetës, kurse ulet shkalla e invaliditetit dhe kostoja e hospitalizimit.

Stafi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike, përfshirë kirurgët pediatrik, anesteziologët dhe stafin e mesëm shëndetësor do të vazhdojnë të kryejnë operacione me metoda të tilla minimale invazive, thuhet në komunikatën e Zyrës për medie- SHSKUK.