Kthimi i shqiptarëve në pronat e veta as nuk përmendet, ndërsa për serbët ndërtohet edhe pa leje

Kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre në veri të vendit, tash e sa kohë është temë aktuale politike.

Paralel me këtë proces, edhe kthimi i serbëve në këtë pjesë është bërë temë diskutimi e përplasjeje mes palëve të ndryshme, shkruan lajmi.net.

Por, në këtë aspekt duket se komuniteti shqiptar është duke u diskriminuar.

Në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe në “Kroin e Vitakut” në veriun e Mitrovicës ka filluar procesi i ndërtimit të banesave kolektive.

Këto të fundit po pretendohet t’i shërbejnë komunitetit serb që jeton në këtë pjesë, dhe atyre që mendojnë të rikthehen në pjesën veriore.

Shqetësimin për një gjë të tillë e ka shprehur asamblistja e PDK-së në Mitrovicë të Veriut, njëherit edhe ish-kandidate për kryetare komune, Gonxhe Çaushi.

E kontaktuar nga lajmi.net, ajo thotë se ndërtimi i këtyre banesave kolektive po bëhet pa leje.

“Nga informacionet e ofruara nga qytetarët dhe shqetësimet e tyre mua si asambliste më është bërë e ditur se kohën e fundit tentohen të ndërtohen banesa kolektive në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe tek “Kroi i Vitakut” , e në anën tjetër shqiptarët kanë kërkuar të kthehen në pronat e tyre të cilat janë krejtësisht me leje, por iu është pamundësuar kthimi dhe rindërtimi i tyre tash e sa kohë nga inspektorati komunal”, thotë Çaushi për lajmi.net.

Çaushi shqetësimin e saj e ka shprehur edhe në seancën e djeshme në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Ajo thotë se drejtorët përgjegjës me gjithë insistimin e saj nuk kanë marrë pjesë në seancë.

“Unë kam kërkuar llogari në seancën e Kuvendit Komunal të dijë se mbi bazën e cilit vendim janë duke u ndërtuar këto banesa pasi në Kuvend nuk është vënë fare në rend dite një vendim i tillë. Kush i financon dhe dhe a kanë leje ndërtimi?. Pavarësisht kësaj drejtorët përgjegjës nuk kanë ardhur fare në seancë, kurse të tjerët nuk kanë pasur përgjigje dhe janë munduar që në mënyrë diplomatike të iu ikin pyetjeve të tilla, dhe gjithashtu nuk është dhënë as e drejta për replikë”, ka thënë asamblistja Çaushi për lajmi.net.

Se janë duke u zhvilluar ndërtime në pjesën e veriut, po e pohon edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq.

Megjithatë, ajo për lajmi.net thotë se nga koha e kaluar e di që investitorët kanë leje për këtë ndërtim.

“Po shihet që po zhvillohet një ndërtim. E di që është parashtruar që do të ndërtohen këto ndërtesa, por investitorët i kanë pasur lejet që janë dhënë më përpara nga koha jonë. Është e nevojshme që departamenti i Kadastrit të dalë në terren dhe të shoh çfarë po ndodh me këtë”, ka thënë fillimisht Hoxhiq.

Ajo thotë se kjo çështje duhet të verifikohet për arsyen se Komuna e Mitrovicës Veriore ka pak tokë komunale në dispozicion, dhe si e tillë pamundësohet dhënia në shfrytëzim e pronave për ndërtimin e banesave kolektive për qytetarët.

Ministrja thotë se ka qenë prezente në seancën e djeshme, ku mohon se asamblistëve shqiptarë iu është ndaluar pa të drejtë replika e tyre për këtë çështje.

“Unë jam interesuar për këtë çështje sepse i kam vëzhguesit e MAPL-së nëpër Kuvende Komunale. Unë me sa kam kuptuar ka qenë në pyetje replika e dytë për një gjë të tillë për një temë të njëjtë, dhe për këtë arsye nuk është dhënë fjala për me bërë replikë sepse është shfrytëzu njëherë fjala. Kryesuesi e ka shfrytëzuar këtë dokument”, ka thënë ajo.

Sipas Hoxhiq, asamblistët duhet t’i drejtohen drejtorisë së Urbanizmit dhe Kadastrës, gjë të cilën Çaushi thotë se e kanë bërë paraprakisht.

Ndërkaq, ministrja e MAPL-së, vlerëson se nëse janë duke u ndërtuar banesa për raste sociale, atëherë ato duhet të shërbejnë për të gjitha komunitetet.

Kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre në të kaluarën ishte përcjellur edhe me incidente.

Kjo për arsyen se ishin vetë institucionet ato që kishin bllokuar ndërtimin e shtëpive për shkak të problemeve të mundshme ndëretnike.