Kurti çohet kundër Maduros së Venezueles, i del në krah Amerikës per zhvillimet atje

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përkrahur propozimin e Departamentit të Shtetit amerikan që në Venezulë të ketë zgjedhje të lira që mundësojnë tranzicionin demokratik në këtë shtet të Amerikës Latine.

ShBA-ja nuk e mbështet Presidentin e tanishëm të Venezuelës Nicolas Maduro, arsye kjo që shteti amerikan ka vënë sanksione ndaj shtetit latin.

Kurti ka shkruar në Twitter se Venezula duhet të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta, duke e përkrahur propozimin e DASH-it, raporton Gazeta Express.

“Venezuela ka nevojë për një proces politik të besueshëm dhe gjithëpërfshirës me zgjedhje të lira dhe të drejta, që u mundësojnë njerëzve ta vendosin të ardhmen e vet dhe t’i zgjedhin udhëheqësit e tyre. Kosova përkrah propozimin e ShBA-së për tranzicion demokratik në Venezuelë”, ka shkruar ai në Twitter.

Përndryshe kreu i ekzekutivit kosovar po përballet me kritika të shumta për vendimet e fundit, sa i përket emërimit të anëtarëve të Vetëvendosjes në bordet e ndryshme të ndërmarrjeve publike siç janë Posta e Kosovës, Kompania Rajone e Ujësjellësit “Prishtina” dhe Infrakos.