Kurti deklarohet për ngritjen e çmimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur fjalën e presidentit amerikan Joe Biden, që të martën u shpreh se ngritja e çmimeve në gjithë botën të produkteve elementare është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës.

Në mbledhjen e Qeverisë ai ka thënë se Kosova preket nga ngritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.

“Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve më të mëdha të gazit dhe naftës në Evropë. Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”.