Kurti: Do të bëjmë përpjekje për krijimin e qeverisë, javën tjetër!

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka folur rreth takimit që zhvilloi sot me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë/zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Evropian, z. Josep Borrell Fontelles.

Ai ka thënë se me të kanë diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvilluar nën drejtimin e BE-së.

“E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë. Duhet të rishikojmë dhe vlerësojmë cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme para se të negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshje të reja. Nuk duhet të vonohemi, por edhe nuk mund të ngutemi, ka shkruar Kurti në Facebook.

Dialogu duhet të jetë për çështjet e pa adresuara e të pa zgjidhura, duhet të jetë i përgatitur dhe parimor. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo duhet të jetë premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje.

Ne besojmë në fuqinë e Bashkimit Evropian për t’u bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për të mirën e përbashkët. Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë është në interes të gjithë rajonit.

Gjithashtu e njoftova z. Borrell edhe me përpjekjet për krijimin e qeverisë së re e cila do të marrë drejtim në javën që vjen. Drejtësia e shtetit me sundim të ligjit dhe zhvillimi ekonomik me punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë do të jenë prioritet yni”, ka thënë ai.