Kurti: Do të investojmë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura për qytetin e Prizrenit.

Ai nga atje tha se kjo çështje do të ketë vëmendje të madhe nga Qeveria e tij dhe zotohet se do t’i gjejë zgjidhje problematikave përmes fondeve të BE-së.

“Jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht kemi 20 përqindëshin e mesatares së rajonit. Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk bëhet menaxhimi i ujërave të ndotura, të cilët mbetën një ndër ndotësit kryesorë të ujërave sipërfaqësorë. Në mungesë të sistemeve adekuate ato shkarkohen direkt në lumenjtë e vendit, duke kontaminuar një pjesë të madhe të tyre”, tha Kurti.

“Me zhvillimet dinamike presim të fusim në funksion edhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Pejë dhe Gjakovë, me të cilët shkalla e trajtimit do të arrinte rreth 9 përqind të popullësisë. Kurse deri në fund të vitit 2025, kjo shifër pritet të arrijë rreth 50 përqind, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, duke shtuar Prishtinën me Obiliqin dhe Fushë Kosovën, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën. Në linjë me agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet që Kosova do të përfitojë nga BE-ja do të investojmë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi dhe në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza urbane”.