Kurti i gëzohet kalimit të Ligjit për Pagën Minimale që përjashton veteranët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është gëzuar miratimit të Ligjit për Pagën Minimale, i cili përjashton veteranët e UÇK-së. 

Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se po përmbushet një zotim, shkruan Demokracia.com.

“Me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale. Nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë. Për punëtorët nën 35 vjeç rritje e pagës minimale për 103%, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç rritje për 55%. Po ashtu hiqet tatimi në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, ndërsa nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët. Punëtorëve po ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson jetë të dinjitetshme. Falënderoj të gjithë deputetët që votuan këtë ligj.”, ka shkruar ai.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar sërish masa, pasi pushteti miratoi të njëjtin dokument në lexim të dytë të enjten.

Ky ligj parasheh që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve, Ministria e Financave do të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual. Pra, veteranëve nuk u garantohet rritja e pensionit, siç do të rritet paga minimale, nga 170 në 264 euro.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar në Facebook, duke paralajmëruar veprime.

“Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar ligjin për pagën minimale duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t’i ndërmarrim”, ka shkruar ai.

Gazeta “Nacionale” e ka publikuar pjesën e 3-të të audio-incizimeve në mes të Slavko Simiqit dhe Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së.

Në këtë audio-incizim dëgjohet Kusari-Lila teksa me Slavko Simiqin bisedojnë edhe për çështjen e veteranëve. Kusari-Lila i ankohet Simiqit, duke thënë se listat e veteranëve janë fryer.