Kurti injoron sërish kërkesat e SHBA-së: Nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri.

Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, ka thënë ai para gazetarëve.

Ai shtoi se Kosova ndodhet në këtë situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura e bandave kriminale në veri.

Prandaj sipas tij, nga këto banda duhet të çlirohet Kosova e për këtë tha se vendi e ka edhe mbështetjen e ShBA-së.

“Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës janë raporte të shkëlqyese bilaterlae dhe kudo në arenën ndërkombëtare. Ne jemi jashtëzakonisht falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmën e ShBA-së për çlirimin dhe pavarësinë, për mbrojtjen dhe sigurinë, për zhvillimin dhe demokracinë”.

“Natyrisht ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet mirëpo këto nuk janë gjërat të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare. Sot ne ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës prej të cilëve duhet të çlirohet edhe republika jonë demokratike, por njëkohësisht edhe komuniteti serb, për këtë po ashtu e kemi edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, tha ai.