Kurti: Janë shtuar përpjekjet për destabilizim, Vuçiqi dëshiron ta kamuflojë refuzimin për planin franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në konferencë për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të folur para mediave për situatën që është krijuar pas largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Policinë e Kosovës në veri të Mitrovicës.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i ka intensifikuar përpjekjet për destabilizim, pasi që sipas Kurtit, në këtë mënyrë Vuçiqi dëshiron ta kamuflojë refuzimin e tij për planin franko-gjerman.

“Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit”, deklaroi Kurti.

Ai ka thënë se këto kërcënime nga Serbia janë të orientuara në drejtim të qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut.

Ai përmendi faktin se Vuçiq së fundmi u takua me ambasadorin e Rusisë dhe Kinës në Beograd, ndërsa tha se “kjo tregon qartë që presidenti i Serbisë koordinohet me Rusinë e Kinën ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në”.

Në fund, Kurti ka thënë se institucionet janë duke vazhduar zbatimin e vendimit për targat në veri, ndërkaq ka thënë se është një numër i vogël i qytetarëve serbë që kundërshtojnë vendimin e Qeverisë.