Kurti ju bën thirrje serbëve t’i konvertojnë targat në “RKS”

Kryeministri Albin Kurti, në gjuhën serbe u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që t’i regjistrojnë veturat e tyre në RKS.

Përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka zgjedhur gjuhën serbe që të komunikojë me serbët e Kosovës e t’i bind ata për t’i riregjistruar veturat e tyre me targa RKS.

“Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos.

Theksojmë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka thënë as edhe një fjalë për reduktimet me rrymë me të cilat po përballen qytetarët, por as edhe nuk iu është përgjigjur qytetarëve dje në protestën që u mbajt pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Njoftimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro.