Kurti në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, Kovaçevski: Deri tash s’kam parë diçka të tillë, do të ishte e padëshirueshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka komentuar pjesëmarrjen e partisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj, duke thënë se nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë.

Kovaçevski tha se “duhet të shihet se çfarë saktësisht nënkuptohet” me lëvizjen e djeshme të partisë në pushtet në Kosovë, sepse sipas tij, nëse Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmend të garojë në zgjedhjet e majit 2024 në Maqedoninë e Veriut, kjo do të ishte “një lloj dinamike e padëshirueshme”.

“Nuk është e panjohur që partitë simotra të marrin pjesë në mbështetje politike të partive në shtetet tjera. Megjithatë, deri më tani nuk kam parë parti nga vende të tjera të marrin pjesë në një proces zgjedhor në një vend tjetër. Duhet të shihet se çfarë saktësisht nënkuptohet, sepse nëse partitë politike nga fqinjësia fillojnë të marrin pjesë në zgjedhjet në vendin tonë, mund të ndodhë që të dëshirojnë të marrin pjesë edhe nga vende të tjera, të cilat mendoj se do të paraqisnin një lloj dinamike të padëshirueshme”, tha Kovaçevski para gazetarëve në Shkup.

Lëvizja Vetëvendosje dje u përfshi edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar opozitës shqiptare në një koalicion.