Kurti në varrimin e policit të vrarë: Me terrorin dhe krimin nuk ka kompromis

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se me krimin dhe terrorin nuk ka kompromis, ndaj dhe Kosova do të ngadhënjejë përballë strukturave armiqësore, siç qe rasti i djeshëm në Banjskë.

Madje Kurti në ceremoninë lamtumirëse të policit të vrarë të Kosovës, u shpreh se para se ai të varroset si hero në tokën e tij, portreti dhe profili i Afrim Bunjakut të skalitet në mbamendjen kolektive, transmeton klankosova.tv.

”Rënia në detyrë e rreshter, Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim”.

”E heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim, kolegët e tij, policët e Kosovës që i përballën grupet e armatosura kriminale dhe terroriste të Serbisë në veri të Kosovës”.

”Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”.

”Afër Afrimi, larg krimi. Me terrorin dhe krimin, nuk ka kompromis”.