Kurti pas takimit me senatorët: Dialogu me Serbinë s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë treguar se gjatë takimit është diskutuar për agresionin e 24 shtatorit të Serbisë në Bansjkë të Zveçanit.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Mbi të gjitha dëshiroj të falënderoj ata për mbështetjen e fortë ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit. Siguria në Kosovë ishte pika kryesore e temës sonë dhe ua prezantova senatorëve të dhënat e freskëta pas sulmit të 24 shtatorit”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa për mbështetjen e sulmeve terroriste në Banjskë. Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, përmes një themelimi të një korridori për furnizim të armëve në veriun e Kosovës”, ka thënë ai tutje.

Tutje, ai ka thënë se Kosova duhet të bashkëpunojë me aleatët e saj në mënyrë që të parandalohet çfarëdo sulmi i mundshëm.

“Institucionet tona të inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut nga grupet kriminale serbe. Prandaj të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndërpriten tani, është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse”, ka thënë shefi i qeverisë.

“Gjithashtu theksova se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Duhet marrë parasysh përpjekjet e Serbisë. Duhet të ndërmerren hapa në mënyrë që dialogu të ketë shans. Është me rëndësi që të kemi një qasje të balancuar”, ka shtuar tutje kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa senatorja Jeanne Shaheen në fjalën e saj ka ritheksuar se përgjëgjësit për sulmet e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë në hetime.

“Ne patëm plane që të udhëtonim nëpër rajon, por kur dëgjuam për ngjarjet e 24 shtatorit, vendosëm që të vijnë këtu dhe të ndajmë shqetësimet tona. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit të japin llogari sipas sundimit të ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojnë në hetimet e vazhdueshme”, ka thënë ajo.

“Mendojmë se është një përkujtim i mirë se stabiliteti afatgjatë i Kosovës nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë. Është koha kur ShBA-ja dhe BE-ja të jenë të përqendruara në këtë rajon për të adresuar shqetësimet”, ka shtuar senatorja.

Më tej, ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës e dinë se çka është lufta dhe s enuk dëshirojnë një përsëritje të saj.

“Nuk duam që të ketë më shumë konflikte sikur në Ukrainë. Prandaj stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Më erdhi mirë që pashë rritjen e numrit të KFOR-it. Ne do ta mbështesim stabilitetin”, ka potencuar Shaheen.

Dy senatorët amerikanë kanë takuar edhe presidenten Vjosa Osmani. Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth konferencës së përbashkët që ata kanë zhvilluar.