Kurti për mandatarin: Nuk kemi kohë për pingpong politik, prioritet shëndeti publik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një vizitë zyrtare në qytetin e Gjilanit.

Ai së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Gjilan.

Kurti është takuar me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me pjesëtaret e stafit emergjent, ku edhe është njoftuar nga afër për të gjitha problemet që po ballafaqohet kjo komunë gjatë kohës së pandemisë.

Kurti nga Gjilani ka bërë të ditur se prilli është muaji vendimtar dhe sipas tij, duhet të dilet sa më shpejt nga kjo situatë.

Kurti nuk ka pranuar që të tregojë se kur pritet ta dërgojnë emrin e mandatarit te presidenti, Hashim Thaçi, duke thënë se nuk është koha për probleme politike.

“Jam shumë i vullnetshëm si kryeministër në detyrë që të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera kur s’mund të ketë prioritet tjetër përveç se shëndeti publik. Takimi i sotëm dhe takimi tjetër që do të jetë në Komunën e Dardanës me kryetarin atje do të jenë ekskluzivisht për çështjen e pandemisë, përkatësisht parandalimin e përhapjes së saj, andaj edhe nuk kemi kohë për të humbur me çështjet e pingpongut politik. Pra, nuk mund të ketë temë tjetër kur s’mund të ketë prioritet tjetër”, u shpreh ndër të tjerash Kurti.

Në anën tjetër, i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se Kurtin dhe Vitinë i ka njoftuar për të gjitha problemet që po ballafaqohet komuna që ai e udhëheq gjatë kohës së pandemisë me COVID-19.