Një shqiptar në Akademinë Franceze të arteve të bukura

Koreografi shqiptar me famë botërore, Angjelin Preljoçaj, dje është bërë pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Paris.

Seksioni i koreografisë së kësaj akademie përbëhet nga katër anëtarë, e një prej tyre tashmë do të jetë edhe koregrafi shqiptar.

Lajmin e ka bërë të ditur profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki, i cili i është gëzuar këtij lajmi, shkruan albinfo.ch.

“Lajmi më gëzoi sinqerisht. Pak shqiptarë e dinë sa çmohet Angjelin Preljoçaj në Francë. Ka dhjetëra libra që i janë kushtu deri tash. Në teatrin Chaillot shfaqjet e tij zgjasnin zakonisht 30 ditë dhe biletat e salles me 1500 vende shiteshin për të gjitha datat shumë kohë para shfaqjes”, ka shkruar Kraki, përcjell albinfo.ch.

Kraki po ashtu ka vlerësuar institucionin në të cilin është bërë pjesë koreografi shqiptar.

“Akademia franceze e Arteve të Bukura është ndër më të vjetrat dhe më të njohurat në botë. Është krijuar në vitin 1816, si trashëgimtare e Akademisë Mbretërore të Pikturës dhe Skulpturës e krijuar nga Louigji XIV ne vitin 1648”, ka shkruar Kraki.