Kurti për Pantiqin: Si mund një i akuzuar për terrorizëm të kalojë në arrest shtëpiak?

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për zëvendësimin nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-policin serb, Dejan Pantiq.

Kurti, në konferencë për media, tha se është shumë kurreshtar që të dijë se si kur ke akuzë për terrorizëm të dërgohet në arrest shtëpiak, njofton Fokusi.info.

“Kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak jam shumë kureshtar që ta di se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”.

Mes tjerash, Kurti tha se Pantiq mund të dërgohej në spital pas problemeve shëndetësore.

“Nuk e di çështjen gjyqësore dhe procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. E ka statusin e të paraburgosurit por në të njëjtën kohë është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqë ishte në grevë të urisë dhe meqë kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme – a është e arsyeshme e vendos gjyqësori” tha Kurti.