Klinaku e quan spektakël konfiskimin e telefonit të Nait Hasanit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, e ka cilësuar si spektakël konfiskimin e telefonit të ish të burgosurit politik, deputetit dhe ish-ambasadorit, Nait Hasani. Ai ka thënë se ky konfiskim do të mund të ndodhte në periudhën kur Hasani është ftuar si dëshmitarë në Hagë.

“Këto janë skandale në vete. Është mirë gjyqtari i procedurës paraprake mos të miratojë këso kërkesa të zyrave të Gjykatës së Specializuar që në Kosovë të bëjë spektakle sepse brenda e kanë pasur duke dhënë dëshmi edhe familjarin e familjes Fazliu, por edhe Rrustem Mustafën, komandantin e zonës së Llapit. Po të dëshironin që të konfiskojnë telefona kanë mundur ta bëjnë edhe në Hagë, duke e ditur që ka qenë dëshmitar i Prokurorisë në Dhomat e Specializuara”, ka thënë Klinaku në “Info Plus” të RTK-së.

Tutje udhëheqësi i organizatave të dala nga lufta ka thënë se që nga fillimi kanë qenë kundër formimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Madje ai e ka cilësuar si skandaloz kryesimin e panelit gjykues.

“Shokët që i kemi në Hagë po e presin Supremen, e cila edhe pse avokatët kanë bërë kërkesë ashtu siç kanë liruar shumë njerëz me dy të tretat e vuajtjes, atyre po ju stërzgjatet. Ky vendim nuk po merret sepse është caktuar një panel, që e konsiderojmë si skandal që e kanë caktuar kryesuese të panelit pikërisht kryetaren e gjykatës së Katerina Trendavilova”, ka thënë Klinaku.