Kurti pret sot në takim liderët e partive politike, por sa do t’i përgjigjen ata kësaj ftese?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thirrur në takim liderët e partive politike për të diskutuar lidhur me situatën pandemike të krijuar nga COVID-19.

Takimi pritet të zhvillohet nga ora 10:00, teksa shumë prej liderëve të partive nuk zgjodhën të tregonin nëse do t’i përgjigjen apo jo kësaj ftese.

Duhet përkujtuar që Kosova po vazhdon të përballe me koronavirusin, ku numri i të infektuarve deri tani ka arritur në 561, 102 të shëruar dhe 12 viktima.

Mbetet të shihet nëse liderët partiak do t’i përgjigjen apo jo kësaj ftese të Kurtit, duke marrë parasysh situatën politike të krijuar në vend, sidomos pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, me mocionin e ngritur nga LDK, parti kjo gjithashtu pjesë e kësaj qeverisje.

Por janë dy parti të cilat kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë takim, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së. Avdullah Hoti, ka folur tryezën të thirrur nga kryeministri në detyrë, duke thënë se qeveria e tij i ka ditët e numëruara dhe se, dy herë e ka shkelur Kushtetutën.

“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel kushtetutën. Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa ne kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka thënë Hoti.

Edhe AKK ka refuzuar ftesën e Kurtit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një letër ia ka përmendur Kurtit refuzimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për arsye të luftës politike të tij.

Haradinaj ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit në shërbim të përballimit të krizës. Por sipas tij, Kurti ka ndjekur hapa të gabuar dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit në mënyrë recidive.

Ai ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur, ngase ftesat e Kurtit janë të vona në kohë dhe të përcjella nga një mungesë legjitimiteti institucional dhe demokratike.