Kurti se thotë asnjë fjalë për deklaratat e BE-së dhe akuzat e tij kundër Lajçakut

Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar t’i komentojë deklarimet e BE-së lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe akuzat e tij kundër të dërguarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Edhe pse është ndalur kur gazetarët i kanë shtruar pyetje lidhur me këtë, ai ka folur vetëm për projektin nëpërmjet të cilit 99 përfaqësues të bizneseve kanë nënshkruar kontrata për përkrahje nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Kurti bashkë me ministrin Nenad Rashiq, ka marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të këtyre kontratave dhe pas saj nuk ka pranuar të flasë lidhur me qëndrimet e fundit të zyrtarëve të BE-së.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur pretendime të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ishte në sinkron me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

“Nuk mund t’i komentojmë komentet e kryeministrit Kurti, sidomos kur janë pretendime të pabaza”, ka thënë ai.

Ai në një konferencë për media ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian ua kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë se duhet të vazhdojnë t’i përmbushin obligimet e marra nga dialogu, sa më shpejt që është e mundshme dhe pa parakushte.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte.

Nëpërmjet një komunikate për media të publikuar të martën në mëngjes, Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët sivjet. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.