Kurti takon Borrellin e Lajçakun, ua kërkon sërish nënshkrimin e marrëveshjeve e heqjen e masave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim bilateral në Konferencën e Sigurisë në Mynih me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh edhe Zëvëndëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Kryeministri Kurti takoi Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që marrëveshjet e dakorduara me Serbinë të nënshkruhen dhe që Kosovës t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Evropian.

Kërkesën e ka përsëritur në takimet që ka pasur të premten në mbrëmje në Munih me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti vazhdimisht ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër vitin e kaluar, gjë të cilën e ka refuzuar Serbia.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti u ka thënë emisarëve të BE-së se nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mos detyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti po ashtu ka përsëritur se “masa kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian duhet të hiqen”.

BE-ja në verë të vitit të kaluar i vuri masa të karakterit politik e ekonomik Kosovës, pasi Qeveria refuzoi që t’i heqë menjëherë kryetarët e komunave të veriut nga zyrat dhe policinë nga dhe përreth ndërtesave komunale.