Tahiri i AAK-së: Qeveria ka dështuar në procesin e vaksinimit masiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria ka dështuar në procesin e vaksinimit të qytetarëve.

Sipas Tahirit, menaxhimi i pandemisë në Kosovë është më i dobëti në gjithë rajonin.

“Tek vaksinimi, Qeveria ka dështuar totalisht në vetëdijesimin, edukimin dhe planin operacional të vaksinimit në masë të qytetarëve” tha ai.

Tahiri thekson se Qeveria e ka nënvlerësuar situatën, sipas tij “duke u thirrur fillimisht në rezultatet në rënien e numrave të rasteve pozitive me COVID-19, që po shihet që nuk ishin si vijimësi e politikave të Qeverisë”.

“Tani kur situata është alarmante, e ftojmë qeverinë t’i merr veprimet e vaksinimit në masë dhe fuqizimit të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të gjitha Qendrat e Vaksinimit që të bëhet vaksinimi sa më i madh”, u shpreh Tahiri.