Kusari-Lila nervozohet me deklaratën e Tahirit: Përmend aferën “Zdravo” dhe paralajmëron padi ndaj tij

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila i ka reaguar shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas deklaratës së këtij të fundit në lidhje me Milan Radojiçiq.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari-Lila ka pretenduar se po vazhdohet me shpifje e dezinformata ndaj Qeverisë.

“Në linjën e dezinformatës, është edhe ky reagim i Abelard Tahirit, shefit të deputetëve të PDK-së ndaj konferencës së Kryeministrit Kurti, në të cilën u treguan planet e Radojqiqit për sulm të ri ndaj Kosovës. Reagimi i Abelard Tahirit, është me shpifje dhe dezinformata për zyrtarë të shtetit dhe sulmin në Banjskë, përfshirë ikjen e Radojqiqit. Por as edhe një fjalë apo reagim ndaj përpjekjeve të kriminelit Radojqiq për cenim të sovranitetit dhe sigurisë së vendit.”– ka thënë ajo

Kusari-Lila ka përmendur edhe aferën e njohur tashmë si “Zdravo” të publikuar nga gazeta Nacionale ku ajo diskutonte me eksponentë të Listës Serbe.

Sipas saj, referenca aty është“abuzuese e keqinformuese”.

Deputetja e VV-së nuk është ndalur me kaq, ajo ka thënë se përgjimet kanë qenë një përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë “nga eksponentë të PDK-së’.

“Përgjimet e jashtëligjshme të cilat u inçizuan në Maj të 2022-tes, u përdoren në Korrik të 2023-tes, në një përpjekje për t’a rrëzuar Qeverinë Kurti nga eksponentë të PDK dhe sipas rrjedhës së ngjarjeve me asistim direkt nga Lista Serbe, 14 muaj pasi këta të fundit ishin larguar nga Kuvendi në pamundësi të arritjes së çfarëdo arranzhmani me Qeverinë Kurti.”– u shpreh ajo.

Në fund, ajo ka paralajmëruar padi për deputetin Tahiri.

“Për këto dezinformata dhe abuzim të vazhdueshëm me të vërtetën, unë do të padis Abelard Tahirin, ashtu sikur kam paditur të gjithë ata që i bashkërendojnë aktivitetet me Listen Serbe e eksponentët e tyre për t’ju dhënë mundësinë që t’i deklarojnë të njejtat në Gjykatë, për çfarë duhet mbajtur përgjegjësinë ligjore.” – deklaroi tutje Kusari-Lila.