Bislimi për ish-ministrin e PDK-së: Më ofroi ndihmë me të gjithë kapacitetin intelektual

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka deklaruar se ish’ministri Ahmet Shala i ka ofruar mbrështetje nga distanca lidhur me pakon për rimëkëmbje ekonomike. Vetëvendosje gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë kishte bërë akuza të ashpëra ndaj Shalës lidhur me privatizimet.

Bislimi ka shkruar në Facebook se në takimin e sotëm për pakon për rikëmëmbje ekonomike ka marrë tri përgjigje, nga guvernatori i BQK’së, ish’ministri Ahmet Shala dhe Bedri Hamza.

“Kam marrë tri përgjigje në tërësi; konfirmimin për pjesëmarrje nga ana e guvernatorit të Bankës Qendrore, z. Mehmeti, përgjigjen e ish ministrit z. Ahmet Shala dhe ish ministrit, z. Bedri Hamza. Zotëri Shala më ka njoftuar se është me qëndrim në SHBA dhe rrjedhimisht e ka të pamundur prezencën në takim, por ka ofruar mbështetje nga distanca me gjithë kapacitetin e tij intelektual. Ndërsa z. Hamza ka njoftuar se për momentin nuk e sheh të mundshme pjesëmarrjen në takim”, ka shkruar ai.

Si rrjedhojë, Bislimi sot është takuar vetëm me guvernatorin e BQK’së.